Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, Shqipëria është përballur me një proces të përshpejtuar të zbrazjes së popullsisë gjatë dhjetëvjeçarit 2016-2026. Tendenca rënëse është përhapur në të gjithë territorin, me qarqet e Veriut që shfaqin shifrat më të larta të ikjes së banorëve.
Qarku i Shkodrës kryeson listën me një rënie prej 25.58%, që përkthehet në mbi 50 mijë persona më pak. Situata paraqitet e ngjashme edhe në qarqet e tjera veriore:
• Kukësi: humbje prej 24.78% të popullsisë.
• Lezha: tkurrje prej 24.11%.
• Dibra: rënie prej 22.49%.
Rënia demografike nuk ka prekur vetëm zonën veriore, por është shtrirë në pothuajse të gjitha rajonet e vendit. Fieri ka humbur 68,089 banorë (23.02%), ndërsa Korça ka shënuar një tkurrje prej 22.63% (48 mijë banorë). Po ashtu, Gjirokastra ka pësuar rënie me 21.86%, duke u përballur krahas emigracionit edhe me sfidën e plakjes, ndërsa Elbasani ka regjistruar një rënie prej 21.06%.
Në qarqet e tjera, Vlora ka humbur 18.46% të popullsisë (32 mijë banorë), ndërsa qendra si Durrësi kanë shënuar një tkurrje prej 12.08% (mbi 30 mijë banorë). Qarku i Beratit raportohet me rënien më të ulët në këtë listë, me 9.44%.
Sipas institucioneve, ky fenomen është pasojë e përshpejtimit të ciklit të emigracionit, i cili vazhdon të jetë faktori kryesor i largimit të të rinjve nga vendi.