Të dhënat e Eurostat tregojnë se në vitin 2024 emigruan rreth 44 mijë shqiptarë drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ky numër përbën pjesë të largimeve totale prej të paktën 180 mijë personash për periudhën 2021-2024, pa llogaritur të dhënat nga Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar, ku kjo e fundit regjistroi një valë të madhe në 2022.
Sipas përpunimeve të Monitor-it mbi të dhënat e Eurostat, dominon largimi i të rinjve. Në total, 62% e emigrantëve në 2024 ishin nën 35 vjeç. Grupi më i madh ishte mosha 25-29 vjeç, me mbi 6 mijë persona ose 14.3% të totalit, i ndjekur nga mosha 30-34 vjeç me 13%.
Rreth 18% e të larguarve ishin nën 15 vjeç, çka tregon largimin e familjeve të reja. Grupi 35-49 vjeç përbënte 20% të emigrantëve.
Krahasim historik
Të dhënat e INSTAT nxjerrin në dukje uljen e moshës mesatare të emigracionit. Në 2019, grupi kryesor ishte 30-34 vjeç me 15.6% të totalit.
Plakja e popullsisë
Largimi i të rinjve ka ndikuar në rritjen e moshës mediale të popullsisë, që e ndan popullsinë për gjysmë. Në 2025, kjo moshë ishte 44.3 vjeç në Shqipëri, afër mesatares europiane prej 44.9 vjeç. Në 2015, mosha mediale ishte 34.7 vjeç.