Një autobus postar u përfshi nga flakët në Kerzers, kantonin Fribourg të Zvicrës, ku humbën jetën gjashtë persona dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur. Mes pasagjerëve ishte një shqiptar nga Kosova, i cili arriti të shpëtojë me lëndime.
Sipas mediumit zviceran 20 Minuten, bëhet fjalë për Faton Berisha, i cili pësoi djegie në trup dhe dëmtime nga thithja e tymit. Ndërsa mediume si IndeksOnline e Bota Sot e identifikojnë si Faton Morina, me lëndime të lehta në duar. Ai po trajtohet në spital dhe është në gjendje të mirë.
Kushëriri i tij, Arbi Berisha, rrëfen se Fatoni e telefonoi menjëherë pas shpërthimit të zjarrit. "Autobusi po digjej, vij në parkingun e Migros-it sa më shpejt", i tha ai. Arbi mbërriti duke vrapuar dhe e gjeti kushëririn kur doli nga tualeti i një restoranti pranë vendit të ngjarjes. Ai kishte djegie në duar, këmbë dhe majën e hundës, ndërsa fytyra i ishte nxirë nga tymi dhe mushkëritë e dëmtuara.
Arbi Berisha e kishte sugjeruar Fatonit të merrte autobusin për t’u kthyer në shtëpi pas një shëtitjeje të shkurtër. Sipas dëshmisë së Fatonit, ai ishte ulur në mes të autobusit, pranë dyerve të hyrjes dhe daljes. Një burrë pranë hapësirës për biçikleta nxori një çakmak dhe u spërkat me benzinë. Fatoni bërtiti me zë të lartë. Brenda pesë ose gjashtë sekondash, autobusi u mbush me tym dhe e gjitha ndodhi shumë shpejt. Ai u përpjek të hapë dyert, duke u djegur në duar.
Përditësime
Policia zvicerane ka identifikuar viktimat dhe detaje të reja për zjarrin në autobusin postar.
- Viktimat: Lara Baumgartner (26 vjeçe, DJ), djalë 16-vjeçar, shofer portugez 63-vjeç, burrë 29-vjeç, gra 25- dhe 29-vjeçe.
- I dyshuari: Shtetas zviceran 65-vjeçar nga Berni, i raportuar i zhdukur; hipi në Dudingen dhe veproi i vetëm.
- Të plagosurit: Burra zviceranë 34- dhe 61-vjeç, gra zvicerane 27- dhe 56-vjeçe, burrë 32-vjeçar nga Kosova; shumica e liruar nga spitali, dy nën kujdes mjekësor.
- Ngjarja ndodhi rreth orës 18:25 të martës. Autobusi funksiononte me naftë.
Autoritetet zvicerane konfirmuan se i dyshuari 65-vjeçar është mes të vdekurve. Ai e spërkata veten me benzinë dhe i vuri flakën.
Radio Energy shprehu pikëllimin për Lara Baumgartner: “Jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar”.