Ngjarja ka ndodhur pasditen e së martës, më 18 gusht 2026, rreth orës 18:00, kur shtetasi iranian është paraqitur për kontroll në pikën kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari". Gjatë verifikimeve, autoritetet kanë konstatuar se pasaporta belge e prezantuar nuk i përkiste personit në fjalë.
Gjatë intervistimit nga ana e Policisë së Kosovës, i dyshuari ka pranuar se dokumenti nuk ishte i tij dhe ka sqaruar se është shtetas iranian, pa pasur me vete asnjë dokument tjetër identifikues. Në deklaratat e dhëna për autoritetet, ai ka shprehur nevojën për mbrojtje, duke argumentuar se ndihet i rrezikuar në shtetin e tij. Rasti është iniciuar nga policia si "Keqpërdorim i dokumentit", ndërsa personi është dërguar në Zyrën e Migracionit për të vazhduar procedurat.
Drejtori i Qendrës për Azil, Fitim Zariqi, ka konfirmuar se kërkesa është dorëzuar dhe tashmë është në fazën e shqyrtimit nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas Zariqit, shqyrtimi i kërkesës mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj të tjerë. Megjithatë, ai ka saktësuar se, zakonisht, ky proces zgjat mesatarisht dy muaj e gjysmë deri në tre muaj. Për momentin, nuk janë bërë të ditura detaje lidhur me vendin nga i cili ka udhëtuar shtetasi iranian drejt Kosovës, ndërsa institucionet mbeten në pritje të sqarimeve të mëtejshme mbi rrethanat e udhëtimit.