Seanca paraprake ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre pandehurve të tjerë u shty për më 12 mars. Shkak u bë mungesa e avokatëve të Pirro Xhixhos.
Në seancën e 26 shkurtit, Meta dhe Kryemadhi kërkuan pushimin e çështjes.
Më 29 gusht, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) çoi në gjyq Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, ndaj të cilëve rëndojnë tre akuza:
• korrupsioni;
• pastrimi i parave;
• mosdeklarimi i pasurisë.
Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq janë çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, dhe Ema Çoku. Ndërkohë, Pirro Xhixho përballet me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim.
SPAK thotë se hetimet për Metën dhe Kryemadhin kanë zbuluar disa skema korrupsioni dhe përdorimi të pushtetit politik.
Përditësime
Ilir Meta ka tërhequr kërkesën për ndryshimin e masës së sigurimit. Avokati i tij shpjegoi se kjo vjen për shkak të shtyrjes së seancës paraprake më 12 mars dhe mungesës së vendimit për kalimin e çështjes në gjykim.