Seanca gjyqësore në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e planifikuar për ditën e sotme, nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së mbrojtjes ligjore. Avokatët e tij, në kuadër të një proteste mbarëkombëtare, kanë vendosur të bojkotojnë seancat në GJKKO për shkak të kundërshtive ndaj rregullores së re të kësaj gjykate, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shtator.
Në përgjigje të këtij veprimi, trupa gjykuese ka vendosur gjobitjen e avokatëve me vlerën e 50 mijë lekëve për secilin. Gjithashtu, gjykata ka vendosur pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn, i cili ndodhet në masën e sigurisë "arrest në burg" që prej 10 shkurtit 2025. Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më 13 tetor, në orën 10:00.
Erion Veliaj përballet me akuza nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për vepra penale që përfshijnë korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Çështja, në të cilën janë nën hetim edhe persona të tjerë, përfshirë bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, lidhet me episode të dyshuara të shpërndarjes së paligjshme të fondeve publike dhe dhënies së lejeve të ndërtimit.