Seanca e planifikuar për 6 nëntor në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për çështjen “Lotaria Shtetërore” nuk u zhvillua dhe u shty. Seanca e radhës është caktuar për 11 nëntor. Në proces janë të akuzuar ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami dhe gjashtë persona të tjerë: Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen për tejkalim të autorizimeve zyrtare, përmes të cilit dyshohet se i kanë shkaktuar Lotarisë Shtetërore dëm prej 596.125.511 denarësh. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm deri në këtë fazë të procedimit.
Seanca e fundit dëgjimore u mbajt më 30 tetor. Dëshmi dha Andrej Krstevski, këshilltar për zbatimin e projektit në Lotarinë Shtetërore, i cili më parë kishte qenë anëtar i Bordit Drejtues dhe Mbikëqyrës, si dhe zëvendësdrejtor i kompanisë. Ai foli për mënyrën e marrjes së vendimeve në ndërmarrje dhe procedurën e prokurimit të terminaleve VLT.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë për blerjen e terminaleve, Krstevski tha se Bajrami ia kishte komunikuar personalisht idenë. Ai shtoi se për procedurën ishte vënë në dijeni menjëherë pas përfundimit të saj, nga anëtarë të komisioneve të ngarkuara me zhvillimin e procedurave.
Më 3 nëntor, Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale në Shkup vendosi heqjen e paraburgimit për Bajramin dhe pranoi garanci në pasuri të paluajtshme me vlerë 1.140.781 euro. Krahas garancisë, atij iu caktuan masa paraprake, përfshirë sekuestrimin e dokumentit të udhëtimit dhe detyrimin për t’u paraqitur rregullisht në Gjykatë.
Akuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski. Gjykimin e drejton gjykatësja Biljana Shuplinovska-Jovevski.