Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar kundër vendimit të Inspektoratit Policor të Kosovës për suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë në Gjakovë.
Sipas komunikatës së saj, masa suspendimi është e ngutshme dhe pa bazë në rrethanat e rastit. Kjo dëmton institucionin e policisë, duke krijuar mungesë stafi në stacionet policore, duke ndikuar në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe duke cenuar autoritetin dhe besueshmërinë e organit të sigurisë.
Sindikata thekson se nuk synon të ndërhyjë në pavarësinë e Inspektoratit Policor të Kosovës. Bazuar në audio-incizimin e publikuar në media dhe pas analizës së ngjarjes, ajo vlerëson se zyrtarët kanë vepruar me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin.
Sipas të dhënave publike, zyrtarët policorë u kërcënuan me jetë në stacionin e punës, në prani të dëshmitarëve të tjerë policorë. Në audio-incizim, i dyshuari përmend edhe kohën e mundshme të sulmit. Për këtë, ai u trajtua si i dyshuar për veprat penale të kërcënimit dhe pengimit të personit zyrtar në kryerje të detyrës, ndërsa me urdhër të prokurorit iu caktua masa e paraburgimit.
Sindikata ngre dyshime se audio-incizimi është i shkëputur dhe jo i plotë, si dhe paautorizuar dhe pa urdhër nga organet kompetente, prandaj nuk mund të konsiderohet provë ligjore sipas legjislacionit në fuqi.
Në fund, sindikata i bën thirrje Inspektoratit Policor të Kosovës të rishqyrtojë vendimin dhe të rikthejë menjëherë zyrtarët në detyrë.