Mijëra udhëtarë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen po përballen me radhë të gjata, vonesa dhe anulime fluturimesh në aeroporte evropiane për shkak të zbatimit të sistemit të ri të kontrollit kufitar Entry/Exit System (EES).
Sistemi kërkon regjistrimin biometrik të udhëtarëve, duke përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografi të fytyrës gjatë hyrjes dhe daljes nga zona Shengen. Ai zëvendëson vulosjen tradicionale të pasaportave dhe u prezantua fillimisht në tetor 2025, me zbatim të plotë në prill 2026.
Problemet filluan në fundjavën e 11-12 prillit 2026 në aeroporte kryesore si Gjenevë, Lisbondë, Maltë, Brukseli dhe Schiphol i Amsterdamit. Pasagjerët raportuan pritje deri në dy orë në kontrollin e pasaportave, ndërsa disa pika automatike nuk funksiononin.
Në Milano Linate, disa pasagjerë u ndjenë keq dhe humbën ndjenjat pas pritjes prej tre orësh. Rreth 100 pasagjerë të easyJet mbetën në aeroport pasi fluturimi drejt Mançesterit u nis pa ta. Kompania e vonoi fillimisht fluturimin me 52 minuta për siguri, por e cilësoi situatën si të papranueshme dhe jashtë kontrollit të saj.
Drejtori ekzekutiv i Ryanair e përshkroi zbatimin si çrregullim dhe akuzoi Bashkimin Evropian se po ndëshkon udhëtarët britanikë pas Brexit. Autoritetet dhe kompanitë ajrore u bëjnë thirrje udhëtarëve të paraqiten më herët në aeroporte.