Aeroportet në 15 vende evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë, Belgjikën, Italinë, Spanjën dhe Greqinë, kanë raportuar vonesa shumë të rënda, deri në tre orë, në kontrollet kufitare si rezultat të sistemit të ri elektronik të hyrjeve dhe daljeve (EES) të Bashkimit Evropian.
Sistemi hyri plotësisht në fuqi të premten në vendet e zonës Shengen, duke përfshirë 25 shtete anëtare të BE-së si dhe Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën. EES kërkon që pasagjerët nga vendet jashtë BE-së, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, të regjistrojnë të dhënat personale dhe biometrike gjatë hyrjes së parë në bllok. Ky sistem u prezantua gradualisht që nga tetori dhe synon të forcojë sigurinë kufitare duke mbledhur të dhëna mbi hyrjet dhe daljet. Ai ishte shtyrë disa herë më parë për shkak të problemeve me sistemin IT, sigurinë kibernetike dhe vonesave në shtetet anëtare.
Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI), përmes drejtorit të divizionit evropian Olivier Jankovec, ka paralajmëruar se këto vonesa, të vërejtura tashmë në oraret e pikut, do të jenë e papërballueshme gjatë muajve të verës. ACI raportoi shembuj konkretë, si rasti ku mbi 100 pasagjerë humbën fluturimin easyJet nga Milano në Manchester të dielën, sipas BBC-së.
Përfaqësues të aeroporteve zhvilluan një takim të martën me Komisionin Evropian për të diskutuar problemet. ACI kërkoi zgjatjen e përjashtimeve ekzistuese dhe mundësinë për të pezulluar plotësisht regjistrimin në EES kur kohët e pritjes bëhen të tepruara. Një zëdhënës i Komisionit deklaroi se sistemi funksionon mirë në shumicën e shteteve anëtare.
Sektori aeronautik përballet me sfida shtesë nga mungesa e mundshme e karburantit për avionë, e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme dhe bllokada e mundshme e ngushticës së Hormuzit. ACI i ka njoftuar komisionerët e BE-së se Evropa është tre javë larg mungesave sistemike, me një konsum prej rreth 1.6 milionë fuçi në ditë vitin e kaluar.