Pas vendimit të dhënë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për drejtuesit e UÇK-së, situata e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës paraqitet e qetë dhe stabile. Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, ka konfirmuar se forcat e rendit janë duke zbatuar një plan operacional në përputhje me urdhrin operativ të lëshuar në nivel kombëtar.
Në kuadër të këtyre masave, autoritetet kanë zhvilluar komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e katër komunave në veri, si dhe me qytetarët, për të garantuar ruajtjen e rendit dhe shmangien e çdo veprimi që mund të interpretohet si provokim apo cenim i sigurisë. Elshani nënvizoi se policia po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe ka qenë në kontakte të vazhdueshme me organizmat ndërkombëtarë të sigurisë, përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in, si dhe me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Sipas zëvendësdrejtorit të policisë, aktualisht nuk ka indikacione për rrezik dhe forcat e rendit janë të gatshme të ndërhyjnë në çdo rast incidenti. Po ashtu, Elshani bëri të ditur se policia kishte rekomanduar shmangien e disa aktiviteteve të planifikuara në nivel komunal për këtë periudhë, me qëllim ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit në zonën përreth urës mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën e Jugut nga Mitrovica e Veriut.