Sipas raportimeve të mëngjesit nga QMK, vatrat aktive të zjarrit janë përqendruar në disa komuna të vendit, ku zjarret kanë përfshirë bimësi të ulët, pyje, kullota dhe fier. Zonat ku vijon të ketë vatra aktive janë:
• Komuna e Sarajit: në fshatin Kopanicë.
• Komunat e Gostivarit dhe Makedonski Brodit: zjarri shtrihet nga fshati Tërnovo drejt fshatrave Bitovë, Zagrad dhe Strajane.
• Komuna e Çashkës: mbi fshatin Nezhilovë, në lokalitetin Svatovi.
• Komuna e Jegunovcës: në fshatin Kopancë.
Ndërkohë, zjarret që janë vënë nën kontroll ndodhen në deponinë e Komunës së Dellçevës, në territorin e komunave Studeniçan dhe Zelenikovë, si dhe pranë fshatit Dvorcë në Komunën e Pllasnicës.
Autoritetet njoftuan se 24 zjarre janë shuar plotësisht pas ndërhyrjeve të ekipeve në terren. Këto vatra ishin shpërndarë në komuna të ndryshme si Strugë, Kërçovë, Negotinë, Strumicë, Demir Hisar, Prilep, Tetovë, Bërvenicë, Kumanovë, Kriva Pallankë, Gostivar, Petrovec, Gradsko dhe Bosillovë.
Një përditësim i mëvonshëm nga QMK, i raportuar në orën 13:00, evidentoi një dinamikë tjetër, me 11 zjarre të regjistruara gjithsej, ku 7 prej tyre rezultonin ende aktive, përfshirë vatra të reja në Prilep dhe Ohër.
Përditësime
Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) konfirmoi përmirësimin e situatës deri në orën 07:30 të datës 28 gusht. Numri i zjarreve aktive ka rënë në 4 vatra, ndërsa numri i zjarreve të shuar plotësisht është rritur në 24. Gjithsej, në këtë periudhë raportuese janë regjistruar 31 zjarre në të gjithë territorin.
Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) raportoi se aktualisht në vend janë regjistruar gjithsej 11 zjarre. Nga ky total, 7 zjarre mbeten aktive, 3 janë nën kontroll, ndërsa 1 vatër është shuar plotësisht. Autoritetet konfirmuan se zjarri në malin Kitka është vënë tashmë nën kontroll të plotë. Një vatër e re është identifikuar në malin Zheden, në zonën e fshatit Kopanicë. Ekipet e zjarrfikësve të Shkupit janë angazhuar në mbështetje të operacioneve, për shkak të terrenit tejet të vështirë në rajonin e Tetovës që po ndërlikon ndërhyrjen e forcave në terren.
Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njoftoi se numri i zjarreve aktive ka rënë në 5 vatra në mbarë vendin. Ekipet e zjarrfikësve kanë shuar 25 vatra gjithsej, duke shënuar një përparim të ndjeshëm në kontrollimin e situatës. Autoritetet konfirmuan se zjarret në zonën e Gostivarit dhe Makedonski Brodit janë vënë plotësisht nën kontroll. Ndërkohë, janë evidentuar vatra të reja aktive në fshatin Radushë dhe fshatin Crnilishte të Prilepit.