Sokol Sadushi, kryetar i Gjykatës së Lartë, zhvilloi më 16 shkurt 2026 një takim akademik me studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Gjatë këtij takimi, ai mbajti referimin me temë “Paraburgimi si ‘zgjedhja e parë’: rikthimi te standardi kushtetues dhe konventor i masave të sigurimit”.
Sadushi theksoi se paraburgimi prek praktikën gjyqësore të përditshme, politikën penale, perceptimin publik për kriminalitetin dhe raportin me standardet europiane. Mënyra e përdorimit të tij shërben si tregues i cilësisë së kontrollit gjyqësor mbi lirinë personale, i verifikuar nga niveli i individualizimit të vlerësimit, provueshmëria e rrezikut të pretenduar dhe zbatimi real i alternativave.
Në Shqipëri, kjo çështje merr peshë të veçantë për shkak të ndjeshmërisë shoqërore ndaj kriminalitetit dhe si provë e përditshme e funksionimit të shtetit të së drejtës. Kur paraburgimi rritet dhe kthehet në praktikë të zakonshme, dobësohen garancitë e lirisë personale dhe cilësia e arsyetimit gjyqësor. Sipas tij, debati mbi paraburgimin nuk është për tolerancë ndaj kriminalitetit, por për rigorozitet ndaj standardit, ku kufizimi i lirisë duhet të mbështetet në rrethana konkrete dhe të arsyetohet bindshëm, në funksion të qëllimit të masës dhe alternativave të mundshme.
Reflektimi mbështetet në rolin institucional, standardin ndërkombëtar dhe detyrimin akademik. Ai synon të rikujtojë standardin kushtetues dhe konventor të masave të sigurimit, në dritën e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për Shqipërinë, si dhe detyrimeve nga anëtarësia në Këshillin e Evropës dhe procesi i integrimit në Bashkimin Evropian. Në takim, studentët parashtruan pyetje mbi çështje të drejtësisë dhe funksionimin e sistemit gjyqësor, ndaj të cilave Sadushi dha përgjigje në frymë institucionale dhe akademike.
Ai nënvizoi se kur mbi gjysma e popullsisë në burgje është ende e pagjykuar, rrezikohet kthimi i përjashtimit në rregull, ndërsa liria mbetet rregulli dhe paraburgimi përjashtim. Theksi u vu te individualizimi, proporcionaliteti dhe vlerësimi konkret i çdo rasti.