Pesë nga shtatë viktimat e aksidentit në Rumani, ku një furgon me tifozë të klubit grek PAOK u përplas me një kamion, i jepet sot lamtumira e fundit në disa zona të Greqisë. Mes tyre përmendet edhe një shqiptar, sipas disa burimeve.
Ceremonitë mortore zhvillohen në vende të ndryshme:
- Në Aleksandri të Imathias, në orën 11:00, mbërrijnë trupat e Vasilis Palos, Kostas Markopoulos dhe Dimitris Maronitis në Kishën e Ngjitjes së Virgjëreshës Mari. Shërbesa mortore mbahet në orën 13:00.
- Në Efkarpia të Selanikut, në orën 12:00, ceremonia për Giorgos Kesanidis në Kishën e Shën Irinit Chrysovalantou.
- Në Stefaninë të komunës së Volvës, në orën 13:00, lamtumira për Thanasis Gouzouris në Kishën e Shën Dimitrios.
Sa i përket të mbijetuarve, një 20-vjeçar i plagosur rëndë ndodhet i shtruar në Klinikën e Neurokirurgjisë të Spitalit Papageorgiou në Selanik. Ai është jashtë rrezikut për jetën, por ka plagët më të rënda mes të mbijetuarve. Një tjetër i plagosur, 28-vjeçar, u largua nga i njëjti spital një ditë më parë për të marrë pjesë në funeralet e shokëve.
Lajme inkurajuese vijnë nga Rumania për një 20-vjeçar tjetër të plagosur në Spitalin e Timișoarës. Mjekët kanë ulur qetësimin dhe ai ka lëvizur gjymtyrët, përveç krahut të thyer. Do të mbetet i intubuar për të shmangur komplikacione në frymëmarrje pas ndërhyrjes kirurgjikale. Një bord mjekësor do të vlerësojë në ditët në vijim mundësinë e riatdhesimit të tij.