Në autostradën DN6 të Rumanisë, të quajtur nga vendasit "rruga e vdekjes", një kamion i drejtuar nga një shofer me origjinë polake u përplas të martën me furgonin që transportonte tifozë të klubit grek PAOK nga Selaniku. Aksidenti, i ndodhur në qarkun e Timisoarës, la shtatë viktima dhe tre të plagosur.
Shoferi polak, në një deklaratë për gazetën rumune Libertatea, tha se ka drejtuar kamion për 34 vjet dhe ka mbuluar mbi 1.000.000 kilometra, por nuk ka hasur kurrë një situatë të ngjashme. Ai u shpreh i tronditur nga ngjarja që ndodhi brenda pak sekondash.
Sipas medias rumune, ky është aksidenti më i rëndë në qarkun e Timisoarës në të paktën 20 vjet. Një dëshmitar okular, i cili ishte dy automjete pas furgonit, shpjegoi se shoferi i furgonit po kryente manovra për të gjetur momentin e duhur për parakalim. Kur kuptoi se nuk mund ta përfundonte, u kthye në të djathtë dhe u përplas me kamionin e kuq. Dëshmitari telefonoi numrin e emergjencës 112 dhe pa një nga të mbijetuarit të dilte në këmbë nga automjeti.
Mes viktimave identifikohet shqiptari Vasil Pilo, i cili jetonte me familjen në Alexandria të Imathias në Greqi. Ndërsa shqiptari tjetër Genci Sadiku, i plagosur, komunikoi me familjen duke thënë se është jashtë rrezikut për jetën dhe planifikon të kthehet në Shqipëri.