Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë (GJKKO) caktimin e masave të sigurimit ndaj dy shtetasve Marsel Licaj (alias G.) dhe Ermal Licaj, vëllezër nga Fieri, në kuadër të procedimit nr. 55/2024. Me vendimin nr. 28, datë 14 maj 2026, gjykata vendosi arrest në burg për Marsel Licaj, si dhe detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore dhe ndalim i daljes jashtë shtetit për Ermal Licaj. Masat u ekzekutuan më 14 maj 2026 nga Policia e Shtetit.
Të dyshuarit akuzohen për veprat penale "Prodhim dhe shitje e narkotikëve", kryer në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal (nenet 283/1, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1), si dhe "Grup i strukturuar kriminal" (neni 333/a/2).
Hetimet u zhvilluan në bashkëpunim me autoritetet daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH). Autoritetet daneze kishin nisur në gusht 2023 procedimin penal nr. 0100-71282-00102-23, të njohur si Operacioni Bacchus. Grupi, i përbërë nga shqiptarë dhe të huaj, trafikoi heroinë nga Suedia në Danimarkë në 7 episode, nga 1 tetor 2023 deri më 23 janar 2024. Lënda narkotike përzihej me paracetamol dhe kafeinë për shpërndarje në tregun danez dhe rritje fitimesh.
Nga hetimet paralele, në Danimarkë u proceduan dy shqiptarë (njëri kunat i vëllezërve) dhe një shtetas i huaj, ndërsa në Shqipëri u identifikuan dy të tjerë. Vëllezërit Licaj kishin kthyer në Shqipëri pas arrestimeve në Danimarkë. Hetimet vazhdojnë për persona të tjerë.