Në kuadër të hetimeve për dosjen e "21 janarit", Prokuroria e Posaçme ka dërguar për ekspertizë të gjithë materialin e komunikimit në radio të Gardës së Republikës të datës 21 janar 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Sipas burimeve, materiali përmban komunikimet e zinxhirit komandues të Gardës dhe është dërguar prej disa javësh përmes një letër-porosie në një laborator të specializuar në SHBA, falë ndihmës së autoriteteve gjyqësore amerikane. Në Shtetet e Bashkuara është dërguar kaseta origjinale e dorëzuar nga familjarët e të ndjerit Aleks Nika.
Procesi hetimor po zhvillohet në dy faza:
• Verifikimi i autenticitetit të materialit audio.
• Krahasimi dhe identifikimi i zërave që janë pjesë e komunikimit radiofonik.
Aktualisht, SPAK është në pritje të përgjigjes zyrtare nga laboratorët amerikanë, e cila pritet të shërbejë si provë thelbësore për të vijuar me veprimet e mëtejshme hetimore.