SPAK ka nisur hetimin për zhdukjen e shisheve të verës së shtrenjtë, të zbuluara në një qilar të një resorti në pronësi të Ergys Agasit. Burime pranë këtij institucioni njoftuan se kanë pranuar dosjen e përçuar nga prokurori Bledar Valikaj, i cili arriti në konkluzionin se vera është produkt i veprimtarisë kriminale ku është përfshirë Agasi.
Vera u sekuestrua nga SPAK gjatë kontrolleve në pronat e Ergys Agasit, pas shpalljes së tij në kërkim ndërkombëtar bashkë me Ermal Beqirin. Të dyshuarit akuzohen si krerë të një grupi kriminal që rrëmbente biznesmenët dhe i detyronte të tërhiqeshin nga tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Malli i sekuestruar iu la në ruajtje kushëririt të Agasit. Të nesërmen, autoritetet doganore konstatuan zhdukjen e saj kur shkuan për ta magazinuar. Kushëriri po hetohet nga prokuroria e kryeqytetit për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, pasi nuk shpjegon vendndodhjen e shisheve.
Sipas aktit të ekspertimit, vlera e verës rezulton 1.4 mln euro, e cila rritet të paktën dyfish nëse shitet me shishe. SPAK dyshon se Agasi dhe Beqiri urdhëruan rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe për ta detyruar të tërhiqte ankesat për tenderat e AKSHI-së.
Nën masën e arrestit në shtëpi ndodhen ish-drejtoresha e AKSHI-së Mirlinda Karçanaj dhe ish-zv.drejtoresha Hava Delibashi. Masa më të lehta janë vendosur ndaj disa biznesmenëve dhe një zyrtari policie.