Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, ka shprehur shqetësimin mbi moszbatimin e vendimeve gjyqësore dhe masave të sigurisë për individët që ndodhen në arrati. Gjatë raportimit të tij në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Braho bëri me dije se institucioni po vlerëson një ndryshim në qasjen institucionale.
Sipas kreut të SPAK, aktualisht ky institucion nuk disponon kapacitetet operacionale të nevojshme për të përmbushur këto detyra në mënyrë të pavarur. Megjithatë, ai njoftoi se po hartohet një model i ri, i cili do t'i mundësojë prokurorisë të ndërmarrë vetë veprime operacionale për raste të veçanta.
I pyetur mbi arsyet e dështimit të arrestimeve deri më tani, Braho u shpreh se nuk mund të konfirmojë nëse kjo vjen si pasojë e neglizhencës apo e pamundësisë teknike, por pranoi se rezultati është i dukshëm dhe shqetësues. Ai theksoi se strategjia është ende në fazë vlerësimi dhe detajet do të bëhen publike në një moment të dytë.