Kryeministri Edi Rama deklaroi se: "Është shumë e rëndë kjo. Edhe mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, se gjithë telefonët e botës i kanë mbledhur atje". Kjo u tha dy ditë pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe evidentoi praktikën e sekuestrimit të celularëve nga SPAK ndaj personave nën hetim.
Sipas raportit vjetor të SPAK-ut, zbërthimi i celularëve ka qenë vendimtar në hetimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar. Në 2025, u nënshtruan ekspertizës 503 telefona celularë dhe tableta. Gjithashtu, kaluan në filtrat digjitalë 98 kompjutera, 14 DVR dhe 153 prova digjitale si hard-disqe, USB dhe karta memorieje.
Në 2024, numri ishte më i lartë me 553 celularë të zbërthyer. Në total, në katër vite, laboratorin digjital të SPAK-ut trajtoi 1791 aparate telefonikë celularë. Këto përbëjnë vazhdimisht 70-75% të provave totale, duke nxjerrë në pah analizën e metadatave, komunikimeve online dhe aplikacioneve të enkriptuara.
Viti 2025 ishte i ngarkuar edhe me përgjime. SPAK përdori këtë metodë në 186 hetime dhe përgjuri 3004 telefona celularë ose numra telefonikë.
SPAK miratoi fondet për blerjen e një pajisjeje IMSI-CATCHER me vlerë 1.8 milionë euro, për identifikim, detektim dhe lokalizim të celularëve, si dhe për përmirësimin e sistemit të përgjimit me 3.3 milionë euro.