Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), Rafael Louzán, ka deklaruar se finalja e Botërorit 2030 do të mbahet në Spanjë. Ky konfirmim u bë gjatë një gale të Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Madridit, ku ai u nderua me një çmim.
Botërori 2030 do të organizohet në mënyrë të përbashkët nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa ndeshje të tjera do të zhvillohen në Uruguai, Paraguaj dhe Argjentinë, për të shënuar 100-vjetorin e turneut. Louzán theksoi se Spanja do të udhëheqë organizimin dhe posedon infrastrukturën e nevojshme.
Stadiumet kryesore kandidatë për finalen përfshijnë Camp Nou në Barcelonë dhe Santiago Bernabéu në Madrid. Santiago Bernabéu, i rinovuar rishtas, konsiderohet favorit, por vendimi përfundimtar nuk është marrë ende. Këto impiante plotësojnë standardet e FIFA-s.
Më parë kishte spekulime se Maroku mund të priste finalen, por deklarata e Louzán-it për median AS i ka shuar këto dyshime. Ai tha: “Spanja do të udhëheqë Botërorin dhe finalja do të mbahet këtu”.
Në të njëjtën galë, Louzán foli edhe për kalendarin e brendshëm spanjoll, duke propozuar që finalja e Copa del Rey të zhvillohet më 18-19 prill. Ai deklaroi se po bashkëpunon me autoritetet dhe UEFA-n për të shmangur konfliktet me garat evropiane.