Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë më 25 shkurt 2026, zhvilloi një takim me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Gjatë bisedës, palët u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit parlamentar në shërbim të objektivave strategjike të përbashkëta. Spiropali theksoi se mbledhjet e përbashkëta të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë thjesht kalendar institucional, por shprehja më e lartë e vullnetit për të vepruar së bashku me ligj, përgjegjësi dhe vizion.
Diskutimet përfshinin gjithashtu thellimin e këtij bashkëpunimi dhe detyrimet që burojnë nga historia e përbashkët. Palët vlerësuan miratimin nga të dy kuvendet të rezolutave në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shkroi: «Drejtësia duhet të jetë e drejtë. Lufta për liri e popullit të Kosovës nuk mund të relativizohet. Dinjiteti i atyre që e përfaqësuan atë luftë është pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare. Ky është një detyrim që e mbajmë bashkë».