Qendra Memoriale e Srebrenicës (MCS) ka paraqitur një raport zyrtar drejtuar UEFA-s, përmes të cilit kërkohet përjashtimi i përhershëm i klubit serb Crvena Zvezda nga çdo kompeticion evropian. Shkak për këtë nismë është bërë sjellja gjatë ndeshjes së Ligës së Evropës mes Viktoria Plzen dhe Crvena Zvezdës, e cila përfundoi me fitoren 5-1 të ekipit çek.
Gjatë këtij takimi, tifozët e klubit nga Beogradi shpalosën pankarta me mbishkrimin "Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit" dhe brohoritën emrin e Ratko Mladiçit, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte. Sipas Qendrës Memoriale, ngjarja nuk duhet të trajtohet thjesht si një incident i shkaktuar nga tifozët. Klubi Crvena Zvezda publikoi në rrjetet e tij zyrtare fotografi ku pankartat e diskutueshme shfaqeshin qartë dhe në mënyrë dominuese, duke e kthyer këtë mesazh në pjesë të komunikimit institucional. Për këtë arsye, raporti i kërkon UEFA-s që publikimi i imazheve nga ana e vetë klubit të konsiderohet si rrethanë rënduese në procedurën disiplinore.
Në argumentimin e saj, Qendra Memoriale thekson se ky rast bie ndesh me dispozitat e Rregullores Disiplinore të UEFA-s për sjellje diskriminuese, cenim të dinjitetit njerëzor dhe promovim të mesazheve ideologjike të papërshtatshme për sportin. Gjithashtu, është rikujtuar një precedent i mëparshëm ku UEFA kishte vlerësuar se glorifikimi i Mladiçit përfaqëson një fyerje për viktimat në baza etnike dhe fetare.
MCS kërkon që sjellja e tifozëve dhe veprimet e klubit të shqyrtohen si një tërësi, duke e vlerësuar këtë si një çështje të marrëdhënies institucionale të klubit me vlerat mbi të cilat bazohet futbolli evropian. "Një klub që përdor me vetëdije kanalet e tij zyrtare të komunikimit për të përhapur mesazhe që lavdërojnë një njeri të dënuar ligjërisht për gjenocid, nuk mund ta reduktojë një sjellje të tillë në sjelljen e tifozëve", thuhet në ankesën e tyre.
Përditësime
UEFA ka hapur zyrtarisht një procedurë disiplinore ndaj Crvena Zvezdës, sipas The Athletic. Vendimi pason një gjobë të mëparshme prej 99,500 eurosh të vendosur ndaj klubit për shfaqjen e mesazheve josportive. Rasti po shqyrtohet nën tre baza ligjore, ndërsa institucioni evropian i futbollit përballet sërish me sfidën e precedents së vitit 2018, kur një dënim i ngjashëm u anulua pas apelimit.