Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka marrë masa disiplinore ndaj klubeve Crvena Zvezda të Beogradit dhe Borac Banjalluka për sjelljen e tifozëve të tyre gjatë ndeshjeve evropiane të zhvilluara më 27 gusht, ku u kryen homazhe për kriminelin e dënuar për gjenocid, Ratko Mlladiq.
Në ndeshjen kundër Viktoria Plzen, tifozët e Crvena Zvezda-s shpalosën pankarta me mbishkrimin "Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit" dhe brohoritën emrin e Mlladiqit. Për këto veprime, klubi u gjobit me një total prej 98.250 eurosh: 40.000 euro për sjellje raciste ose diskriminuese, 50.000 euro për shfaqjen e mesazhit të papërshtatshëm dhe 8.250 euro për sjellje të pahijshme të ekipit. Gjithashtu, klubit iu ndalua shitja e biletave për tifozët në ndeshjen e radhës si mysafir në garat evropiane, ndërsa një dënim tjetër me kusht do të aktivizohet në rast të përsëritjes së shkeljeve brenda dy viteve. Është aktivizuar edhe një dënim me kusht i vendosur në prill të vitit 2025.
Ndërkohë, klubi Borac Banjalluka është sanksionuar me 30.000 euro për sjellje raciste dhe diskriminuese gjatë ndeshjes kundër Vikingur Reykjavik, ku gjithashtu u zhvilluan homazhe për Mlladiqin. Përveç gjobës, është urdhëruar mbyllja e pjesshme e stadiumit për ndeshjen e ardhshme të klubit në garat evropiane. Borac-i u dënua shtesë me 4.000 euro për sjelljen e ekipit, 3.500 euro për mjete piroteknike, ndërsa anëtari i stafit teknik, Bogolub Zhelkoviq, u gjobit me 2.000 euro për fyerje ndaj zyrtarit të ndeshjes.