Grupi i Aeroporteve të Mançesterit (Manchester Airports Group - MAG), që menaxhon aeroportet e Mançesterit, London Stansted dhe East Midlands në Britaninë e Madhe, ka rënë pre e një sulmi kibernetik nga një palë e tretë e paautorizuar. Nga ky incident sigurie janë aksesuar të dhënat personale të rreth 8,7 milionë klientëve.
Sipas njoftimit zyrtar të grupit, të dhënat e ekspozuara lidhen kryesisht me shërbimet e parkimit, sallat e pritjes, shërbimet e kalimit të shpejtë (Fast Track) dhe regjistrimet në rrjetin Wi-Fi brenda terminaleve. Informacionet e vjedhura përfshijnë adresat e emailit, numrat e telefonit, numrat e regjistrimit të automjeteve dhe kodet postare. Përfaqësuesit e MAG kanë theksuar se sistemet e komprometuara nuk përmbanin të dhëna bankare apo informacione mbi pagesat e klientëve.
Kompania ka bërë të ditur se incidenti është përmbajtur menjëherë dhe po punohet me ekspertë të sigurisë kibernetike për mbrojtjen e sistemeve. Po ashtu, janë njoftuar autoritetet përkatëse, me të cilat grupi po bashkëpunon për hetimin e plotë të rastit. Në deklaratën e saj, MAG siguroi se siguria e pasagjerëve dhe ajo e aviacionit mbeten të paprekura. Operacionet në të tre aeroportet po vijojnë pa asnjë ndërprerje, ndërsa shërbimet aeroportuale dhe ato të parkimit funksionojnë normalisht.
Pasagjerët janë këshilluar të tregojnë vigjilencë të shtuar ndaj mesazheve, emaileve ose telefonatave të papritura që mund të pretendojnë se vijnë nga aeroporti, si masë paraprake për të shmangur çdo tentativë keqpërdorimi të të dhënave të tyre. Aeroporti ka sqaruar se nuk do t’u kërkojë klientëve në mënyrë të papritur informacione mbi pagesat apo të dhënat bankare.
Përditësime
Manchester Airports Group (MAG) refuzoi një kërkesë për shpërblim financiar pas sulmit ransomware të kryer fundjavën e kaluar. Kompania bëri me dije se u informua për incidentin të martën. Hakerët arritën të aksesonin të dhëna personale që përfshijnë adresat e email-it, numrat e telefonit, targat e automjeteve, kodet postare dhe informacione lidhur me shërbimet e parkimit, sallat e pritjes, Fast Track dhe Wi-Fi.