Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës në bibliotekën Butte County Library (dega në Chico) në Kaliforni. Si pasojë e sulmit me armë zjarri, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një fëmijë është transportuar në spital me lëndime që nuk rrezikojnë jetën.
Shefi i Policisë së Chico-s, Billy Aldridge, deklaroi se thirrjet për ndihmë në numrin e emergjencave janë pranuar rreth orës 17:00. Sipas raportimeve, autori u përpoq të largohej nga dera e pasme e ndërtesës, por u neutralizua dhe u arrestua menjëherë nga forcat e policisë që ndodheshin në zonë, pa u regjistruar shkëmbim zjarri.
Autoritetet janë duke zhvilluar hetime intensive për të zbardhur rrethanat dhe motivet e këtij krimi. Deri në këtë fazë, hetuesit dyshojnë se i arrestuari ka vepruar i vetëm. Identiteti i viktimave nuk është bërë ende publik, pasi procesi i njoftimit të familjarëve është në vijim e sipër.
Qarku i Butte-s u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën përreth objektit, i cili do të qëndrojë i mbyllur deri në një njoftim të dytë.