Sylejmon Jusufi është shpallur fajtor për kryerjen në bashkëkryerje të veprës penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge. Gjykata e ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë. Dënimi do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formë të prerë.
Vepra penale parashikohet në nenin 267, paragrafi 2, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Jusufi duhet të paguajë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Këto pagesa duhet të kryhen brenda 15 ditësh, por jo më vonë se tre muaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjoba prej 8 mijë eurosh duhet të paguhet brenda 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit. Nëse Jusufi nuk mund ose nuk dëshiron ta paguajë, gjoba mund të zëvendësohet me burgim, duke llogaritur 20 euro për çdo ditë burgimi.
Pala e dëmtuar është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta paraqesë në një kontest civil. Palët kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë, brenda 30 ditësh.