Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në zonën South Side të Çikagos, ku një person humbi jetën dhe të paktën 14 të tjerë mbetën të plagosur pas të shtënave me armë zjarri. Ngjarja është regjistruar në lagjen Washington Park, ndërsa efektivët e policisë po përpiqeshin të shpërndanin një turmë njerëzish në bllokun 5400 të South Cottage Grove Avenue.
Viktimë e këtij sulmi ka mbetur një 35-vjeçar, i cili u qëllua disa herë dhe u shpall i vdekur në vendngjarje nga Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Cook County. Nga të plagosurit, gjashtë persona janë dërguar në spitalet e zonës dhe raportohen në gjendje të mirë shëndetësore. Autoritetet janë duke mbledhur informacione për tre persona të tjerë të përfshirë, gjendja e të cilëve nuk është bërë ende e ditur.
Sipas dëshmive, ngjarja dyshohet se ndodhi gjatë një tubimi të ish-banorëve të kompleksit të banesave publike Robert Taylor Homes. Kryebashkiaku i Çikagos, Brandon Johnson, e ka dënuar ngjarjen, duke theksuar pasojat shkatërruese të dhunës me armë ndaj komunitetit.
Policia njoftoi se asnjë efektiv nuk është lënduar gjatë përballjes dhe se hetimet nga detektivët e Area One janë në vijim për të identifikuar autorët e sulmit. Deri në këto momente nuk është kryer asnjë arrestim.