Shqipëria është përfshirë nga një valë e të nxehtit, e cila ka sjellë rritje të temperaturave dhe shtim të rrezikut për përhapjen e zjarreve në të gjithë territorin. Sipas njoftimeve nga Instituti i Gjeoshkencave, temperaturat maksimale për ditën e sotme, 5 gusht 2026, pritet të arrijnë vlerat deri në 39°C në zonat e ulëta, 34°C në bregdet dhe 33°C në zonat malore.
Niveli i rrezikut për zjarre është klasifikuar si "i lartë" për shumicën e qarqeve të vendit, konkretisht për Lezhën, Durrësin, Tiranën, Elbasanin, Fierin, Beratin, Korçën, Vlorën dhe Gjirokastrën. Ndërkohë, për qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër, parashikohet një nivel rreziku "i moderuar". Megjithatë, autoritetet theksojnë se në zona të veçanta të lokalizuara, si në perëndim të Shkodrës, verilindje të Kukësit dhe perëndim të Dibrës, rreziku mbetet gjithashtu në nivele të larta.
Kushtet atmosferike, të karakterizuara nga mungesa e reshjeve dhe temperatura të larta, favorizojnë përhapjen e flakëve. Përballë kësaj situate, strukturat e emergjencave janë vendosur në gjendje gatishmërie. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, veçanërisht pranë zonave pyjore dhe kullotave, si dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të mundshme zjarri.