Tensionet ndërmjet Podgoricës dhe Beogradit janë përshkallëzuar pas ndalimit të 86 shtetasve serbë në aeroportin e Malit të Zi, të cilët sipas raportimeve, konsiderohen persona të afërt me strukturat e SNS-së dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas këtij incidenti, Vuçiq akuzoi autoritetet malazeze dhe mediat se po zhvillojnë "luftë hibride" kundër Serbisë. Në një reagim zyrtar të publikuar në platformën X, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i cilësoi këto akuza si të pabazuara. Sipas Podgoricës, deklaratat e tilla pasqyrojnë mungesën e gatishmërisë së një pjese të strukturave politike në Beograd për ta pranuar Malin e Zi si shtet sovran dhe të barabartë.
Autoritetet malazeze theksuan se akuzat intensifikohen periodikisht, veçanërisht kur vendi bën përparime drejt integrimit në Bashkimin Evropian ose kur afrohen proceset zgjedhore. Në deklaratën e saj, ministria u shpreh:
"Ia lëmë publikut të vlerësojë nëse këto deklarata duhen parë si hyrje në fushata të reja dezinformimi dhe presionesh politike, apo si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet që nuk kanë asnjë lidhje me Malin e Zi."
Në reagim rikujtohet se pavarësia e Malit të Zi është çështje e mbyllur, e verifikuar përmes referendumit demokratik dhe e njohur ndërkombëtarisht. Megjithatë, autoritetet malazeze nënvizuan se dëshirojnë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, përfshirë Serbinë, por mbi bazën e respektit të ndërsjellë.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë reagoi duke e interpretuar qëndrimin e palës malazeze si "konfirmim të natyrës hibride të veprimit të qarqeve të caktuara në Mal të Zi ndaj jetës politike në Serbi."
Përditësime
Tensionet diplomatike ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi janë përshkallëzuar pas shkëmbimit të akuzave të ndërsjella:
- Gjatë një interviste për Televizionin Prva më 14 qershor, presidenti serb Aleksandar Vuçiç pretendoi se mediat malazeze kanë luajtur rol në organizimin e protestave anti-qeveritare në Serbi.
- Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka hedhur poshtë zyrtarisht pretendimet për përvetësim territoresh, duke iu përgjigjur retorikës së fundit të zyrtarëve serbë në kontekstin e ndalimit të shtetasve serbë në territorin malazez.