Gazeta britanike The Sun raporton se Mojtaba Khamenei, djali 56-vjeçar i udhëheqësit suprem të vrarë Ali Khamenei, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai u shpall udhëheqës i ri suprem të dielën e kaluar dhe raportohet se ka mbetur në koma, ka humbur një ose të dyja këmbët si dhe ka pësuar dëmtime serioze në stomak ose mëlçi.
Sipas burimeve të cituara nga The Sun, Mojtaba Khamenei trajtohet në njësi të kujdesit intensiv në Spitalin Universitar Sina, në lagjen historike të Teheranit. Forcat e sigurisë kanë izoluar një pjesë të ndërtesës për të ruajtur sigurinë.
Burimi anonim nga kryeqyteti iranian, i cili nuk është mjek, por njeh anëtarë të ekipit të traumës së spitalit, deklaroi se gjendja e tij është shumë serioze. Ai po trajtohet nën kujdesin e Mohammad Reza Zafargjani, ministër i Shëndetësisë, Trajtimit dhe Edukimit Mjekësor, si dhe një nga kirurgët më të mirë të vendit për trauma.
"Njëra ose të dyja këmbët e tij janë prerë. Mëlçia ose stomaku i tij gjithashtu janë dëmtuar. Ai duket se është gjithashtu në koma", thuhet në deklaratën e burimit. Ky i fundit arriti të dërgonte mesazhe një disidenti në mërgim në Londër, pavarësisht ndërprerjes pothuajse totale të internetit në Iran.
Nuk dihet nëse plagët e Mojtaba Khameneit janë marrë në të njëjtin sulm ajror që vrau babanë e tij 86-vjeçar në ditën e parë të sulmeve, më 28 shkurt.