Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen "15 Tetori" të qytetit të Fierit, ku një burrë rreth 55 vjeç, me profesion mësues i gjuhës angleze, ka rënë nga kati i gjashtë i pallatit ku banonte.
Ai ndodhej në apartament së bashku me bashkëshorten kur, për rrethana ende të paqarta, ka rënë dhe ka mbetur i varur në pjesën e jashtme të ndërtesës. Situata ka zgjatur disa minuta dhe ka shkaktuar panik te banorët.
Në vendngjarje kanë mbërritur dy automjete zjarrfikëse, të cilat e kanë shpëtuar të lënduarin. Forcat e policisë kanë siguruar perimetrin dhe kanë nisur hetimet.
Ai është transportuar me autoambulancën e urgjencës 127 në Urgjencën Kirurgjikale të Spitalit të Përgjithshëm të Fierit, ku po merr kujdesin mjekësor. Policia ka vazhduar veprimet hetimore edhe në ambientet e spitalit.
55-vjeçari është baba i dy djemve që jetojnë në Tiranë, ndërsa shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes mbeten nën hetim nga autoritetet.
Përditësime
Policia e Shtetit konfirmoi se mësuesi 55-vjeçar Adriatik D. dyshohet se u hodh vetë rreth orës 17:50 nga kati i tretë në lagjen Apollonia të Fierit. Ai është jashtë rrezikut për jetën.