Dy tigra po bredhin në natyrën e Kazakistanit, afro 80 vjet pasi këta grabitqarë u panë për herë të fundit në vend. Më 2 nëntor, Ministria e Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore e Kazakistanit njoftoi se Amuri u vendos në Rezervatin Shtetëror Natyror Ile-Balkhash, rreth 300 kilometra në veriperëndim të Almatit. Aty ndodhet edhe Umiti, tigreshë e ardhur nga Rusia, e lëshuar në rezervat më 31 korrik.
Dhjetë ditë pas lëshimit, Umiti vrau dhe hëngri një derr të egër dhe një ujk. Sipas raportimit, ajo është përshtatur me sukses në mjedisin e ri. Të dy tigrat janë pajisur me qafore me gjurmues satelitorë, për të monitoruar lëvizjet e tyre.
Valery Bilyachenko, i cili drejton një qendër peshkimi rekreativ pranë rezervatit, tha për Radion Evropa e Lirë se banorët vendas janë kryesisht kundër projektit. Blegtoria është burimi kryesor i jetesës në fshatrat e zonës dhe banorët shqetësohen se tigrat mund t’u vrasin kafshët. Disa fshatra ndodhen vetëm disa dhjetëra kilometra larg vendit ku janë lëshuar tigrat.
Bilyachenko tha se banorëve u është thënë se, kur tigrat të afrohen te fshatrat, do të dërgohen ekipe të posaçme për t’i trembur dhe larguar. Kazakistani është zotuar të mbajë aktive ekipe për parandalimin e konflikteve mes tigrave, njerëzve dhe bagëtive. Sipas raportimeve, banorët do të njoftohen me mesazhe sa herë që një tigër t’i afrohet një fshati ose ferme brenda pesë kilometrave.
Alibek Kuantyrov nga Ministria e Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore tha se synimi nuk është vetëm rikthimi i tigrave në habitatin e tyre historik, por edhe krijimi i një popullate të qëndrueshme, të aftë të jetojë dhe të shumohet në mënyrë të pavarur në natyrë. Shpresa është që Amuri dhe Umiti të gjejnë njëri-tjetrin dhe të bëhen çift, megjithëse ekspertët vlerësojnë se gjasat për çiftëzim janë të vogla.
Dy këlyshë të tjerë pritet të lëshohen në rezervat në vitin 2027. Synimi përfundimtar është që rreth 50 tigra të jetojnë në natyrën e Kazakistanit. Bilyachenko tha se pret që projekti të ketë pak ndikim në biznesin e tij në të ardhmen e afërt, por se kjo mund të ndryshojë. Rikthimi i tigrave mund të krijojë mundësi për turizëm të vëzhgimit të tyre, por edhe të ndikojë në gatishmërinë e njerëzve për ta shijuar lirshëm natyrën në zonë.
Rezervati Ile-Balkhash u krijua në vitin 2018 dhe u përgatit posaçërisht për tigrat. Aty janë vendosur më shumë se 200 drerë dhe mbi 100 kulanë, kafshë të Azisë Qendrore të ngjashme me gomarin, që do të shërbejnë si ushqim për grabitqarët.
Projekti, me vlerë 30 milionë dollarë, është përpjekje e përbashkët e Kazakistanit dhe Rusisë, nga ku janë marrë kafshët. Ai financohet nga Fondi Botëror për Natyrën (WWF), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Kazakistani.
Kazakistani dikur kishte një popullatë të konsiderueshme tigrash, por gjuetia dhe shkatërrimi i habitatit e ulën numrin në rreth dhjetë në mesin e viteve 1930. Deri në vitin 1948, besohet se tigrat ishin zhdukur plotësisht nga territori i Kazakistanit të sotëm. Sergey Aramilev, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Ruse për Tigrat Amur, tha se projekti dërgon një mesazh për rikthimin e një specieje të gjitarëve të mëdhenj të zhdukur, veçanërisht të një grabitqari.