Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka reaguar ashpër pas publikimit në rrjetet sociale të një fotografie, në të cilën pretendohet se ajo shfaqet në një takim me Skënder Llugiqin. Ky i fundit u arrestua nga organet e rendit pasi kishte bërë kërcënime ndaj Ramush Haradinajt.
Përmes një reagimi publik në rrjetin social Facebook, Kadrijaj ka hedhur poshtë çdo pretendim se ka pasur ndonjë takim me personin në fjalë. Ajo sqaroi se fotografia është e montuar përmes përdorimit të inteligjencës artificiale, duke e cilësuar këtë veprim si një përpjekje dashakeqe të qarqeve të pushtetit.
Kadrijaj ka paralajmëruar se çështjen do ta dërgojë në organet e drejtësisë për të kërkuar përgjegjësi ndaj Vudi Xhymshitit, i cili është personi që ka publikuar imazhin. Në postimin e saj, deputetja e Aleancës theksoi se këto veprime janë të pavërteta dhe deklaroi se do të kërkojë zbardhjen e plotë të rastit nga institucionet përkatëse.