Për të 14-n ditë radhazi, qytetarët vijojnë lëvizjen e tyre protestuese kundër qeverisë. Pas tubimit të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, organizatorët kanë njoftuar se protesta e radhës do të zhvillohet sot, në orën 18:00.
Sipas njoftimeve, qytetarët do të grumbullohen fillimisht në sheshin Skënderbej dhe më pas do të vijojnë marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Në qendër të kërkesave të protestuesve qëndron largimi i kryeministrit Edi Rama nga detyra.
Gjatë protestave të ditëve të fundit, pjesëmarrësit kanë artikuluar kërkesa për ndryshime politike, duke theksuar pakënaqësitë e tyre ndaj situatës aktuale. Sloganet që janë dëgjuar më shpesh gjatë këtyre tubimeve përfshijnë thirrje si: "Rama jep dorëheqjen", "Shqipëri e re" dhe "Revolucion".
Nisma vazhdon të prezantohet si një lëvizje qytetare, e cila mbështetet nga organizatorë që përdorin rrjetet sociale dhe kanalet e komunikimit publik për të ftuar shqiptarët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, të bëhen pjesë e demonstratës.
Përditësime
Protesta e 14-të kombëtare kundër qeverisë ka nisur në orën 18:20, me marshimin e qytetarëve drejt Kryeministrisë. Tubimi dallohet për pjesëmarrjen e lartë të emigrantëve, të kthyer posaçërisht për këtë ngjarje. Policia e Shtetit ka dislokuar forca të shumta për ruajtjen e rendit, ndërsa deri tani protesta po zhvillohet pa incidente.