Aksi rrugor Tiranë-Elbasan është përballur me ngarkesë të shtuar të qarkullimit gjatë ditës së sotme, 7 gusht 2026, si pasojë e fluksit të lartë të qytetarëve që po udhëtojnë drejt destinacioneve turistike në juglindje të vendit dhe bregdetit. Radhët e gjata të automjeteve janë raportuar kryesisht në hyrje të qytetit të Elbasanit dhe në pikat problematike si segmenti Shinjon–Bradashesh, Rrethi i Luleve dhe Kryqëzimi i Cërrikut.
Sipas informacioneve nga terreni, zona e rrethrrotullimit të Bradasheshit paraqitet si më e ngarkuara. Të dhënat nga sistemi i navigimit Google Maps, rreth orës 18:30, treguan se koha e pritjes për të kaluar këtë segment ka tejkaluar 1 orë. Situata e rënduar i atribuohet numrit të lartë të pushuesve, kthimit të emigrantëve në vendlindje, si dhe devijimit të qarkullimit nga aksi Tiranë-Durrës për shkak të punimeve që po kryhen atje.
Efektivët e Policisë Rrugore kanë shtuar praninë e tyre në terren për të monitoruar situatën, për të parandaluar parakalimet e rrezikshme dhe për të garantuar sigurinë e qarkullimit. Autoritetet u kanë bërë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë durim dhe të zbatojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të policisë. Ndërkohë, mungesa e një aksi alternativ apo e një bypass-i për shmangien e segmenteve problematike e bën situatën e trafikut veçanërisht të vështirë për udhëtarët gjatë fundjavave.