Në aksin e rrugës kombëtare Tuneli i Krrabës - Rrethrrotullimi i Bradasheshit, në hyrje të Elbasanit, është rikthyer trafiku i rënduar që nga ora 14:30 të së shtunës. Drejtuesit e automjeteve po përballen me radhë të gjata dhe lëvizje të ngadalësuar në rrugën që lidh Tiranën me Elbasanin, Librazhdin, Pogradecin dhe Korçën.
Shkak kryesor i situatës është fluksi i shtuar i automjeteve në drejtim të Pogradecit dhe Korçës, ku me qindra familje nga Tirana udhëtojnë për të kaluar fundjavën. Ky fluks ka vështirësuar qarkullimin normal, veçanërisht në segmentet më problematike të aksit.
Policia Rrugore ka shtuar shërbimet për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur bllokimet totale. Sipas drejtuesve të mjeteve, mungesa e infrastrukturës së përshtatshme çon në krijimin e radhëve të gjata dhe në përsëritjen e këtij fenomeni pothuajse çdo fundjavë.
Gjatë javës së parë të këtij viti, për shkak të fluksit të lartë dhe motit të keq, radhët në këtë aks kanë arritur deri në 25 kilometra, duke shkaktuar vonesa të gjata dhe lodhje për qytetarët.
Drejtuesit apelojnë për zgjidhje afatgjata infrastrukturore. Ata këshillohen të planifikojnë udhëtimet jashtë orareve të pikut për të shmangur pritjet e gjata në trafik.