Pasditen e këtij të diele, më 15 shkurt 2026, aksi rrugor Librazhd-Elbasan u përball me trafik të rënduar. Radhë kilometrike automjetesh krijuan bllokime të mëdha, duke paralizuar thuajse plotësisht një sens lëvizjeje.
Trafiku u përkeqësua veçanërisht në zonën e Murrashit, ku po ndërtohen dy tunele. Punimet ngushtojnë rrugën dhe vështirësojnë qarkullimin. Fluksi i lartë i automjeteve që kthehen drejt Tiranës pas fundjavës ka shkaktuar vonesa të konsiderueshme për drejtuesit.
Sipas raportimeve, nuk është parë asnjë patrullë policie për të normalizuar situatën. Ky fenomen përsëritet shpesh gjatë fundjavave, sidomos në orët e kthimit, ku qytetarët përballen me radhë të gjata dhe orë të tëra në bllokim.