Një traget pasagjerësh me 243 persona në bord ka humbur kontaktin në Detin Java, në Indonezi, pasi u përball me kushte të rënda atmosferike gjatë një udhëtimi detar. Trageti, i identifikuar si Virgo Transport 8, ishte nisur nga Surabaya me destinacion qytetin Banjarmasin në Kalimantanin e Jugut. Kontakti i fundit me anijen u regjistrua rreth orës 02:00 të mëngjesit të së dielës, kur ajo ndodhej përafërsisht 150 kilometra në jug të Banjarmasinit.
Autoritetet indoneziane kanë nisur një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi në zonën ku u raportua për herë të fundit sinjali i tragetit. Për këtë qëllim janë angazhuar mjete detare dhe një helikopter, ndërsa të gjitha anijet që ndodhen në atë pjesë të detit janë njoftuar për të raportuar çdo shenjë që mund të ndihmojë në gjetjen e pasagjerëve. Ky incident vjen pas një tjetër ngjarjeje detare të ndodhur muajin e kaluar pranë ishullit Madura, ku një traget mori flakë dhe shkaktoi vdekjen e 5 personave.
Indonezia, e cila është një arkipelag me më shumë se 17 mijë ishuj, mbështetet gjerësisht te transporti detar për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. Kjo mënyrë udhëtimi është ndër më të përdorurat për banorët e këtij vendi, por aksidentet detare mbeten një shqetësim për shkak të zbatimit të shpeshtë të pamjaftueshëm të standardeve të sigurisë.
Përditësime
Autoritetet detare konfirmuan rritjen e numrit të viktimave në 6 persona, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit vazhdon për gjetjen e 130 pasagjerëve që rezultojnë ende të zhdukur. Ekuipazhet e shpëtimit kanë identifikuar deri tani 107 të mbijetuar nga 243 personat që ndodheshin në bordin e tragetit Virgo Transport 8. Trageti, i cili po udhëtonte nga Surabaya për në Banjarmasin, kishte në bord 213 pasagjerë dhe 30 anëtarë të ekuipazhit në momentin kur humbi kontaktet.
Autoritetet kanë angazhuar 280 persona në operacionin e kërkim-shpëtimit për tragetin 119 metra të gjatë. Raporti i parë për fatkeqësinë u regjistrua në orën 04:10. Sipas të dhënave zyrtare, mjeti lundrues u nis nga Surabaya në orën 10:33 të së shtunës dhe pritej të mbërrinte në Banjarmasin të dielën në orën 14:00.