Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Grand Haven Township në shtetin e Michiganit, SHBA, ku autoritetet gjetën trupat e tetë anëtarëve të një familjeje. Viktimat janë Christopher Karolkiewicz, 47 vjeç, bashkëshortja e tij Amanda “Maddie” Karolkiewicz, 39 vjeçe, dhe gjashtë fëmijët e tyre të moshës 5 deri në 15 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, Christopher Karolkiewicz ka qëlluar për vdekje gruan dhe fëmijët, përpara se t’i vinte flakën banesës në disa vatra të ndryshme dhe t’i jepte fund jetës me të njëjtën armë. Autoritetet u alarmuan pas thirrjeve të banorëve për tym që dilte nga ndërtesa. Ekipet e emergjencës kërkuan për rreth tre orë derisa arritën të depërtojnë në banesë, ku gjetën trupat e viktimave, disa prej të cilëve ndodheshin në dhomat e gjumit. Nga ngjarja nuk shpëtuan as kafshët shtëpiake të familjes.
Ekspertizat mjeko-ligjore vërtetuan se shkaku i vdekjes për të gjithë pjesëtarët e familjes ishin plagët e shkaktuara nga armë zjarri, duke përjashtuar mundësinë e vdekjes nga asfiksia apo djegiet.
Christopher dhe Amanda ishin njohur në vitin 2008 në ambientet e punës dhe ishin martuar në gusht të vitit 2009. Çifti kishte katër fëmijë biologjikë dhe kishte adoptuar dy vajza. Ndonëse familja shfaqej e lumtur në rrjetet sociale, raportimet tregojnë për tensione të vazhdueshme në martesën e tyre. Amanda Karolkiewicz kishte publikuar rrëfime anonime në platformën Reddit, ku fliste për tradhtitë e përsëritura të bashkëshortit me praktikante në vendin e tij të punës, si dhe për vështirësitë emocionale që kishte përjetuar ndër vite. Christopher Karolkiewicz kishte punuar si nënkryetar shitjesh dhe marketingu deri në fillim të muajit korrik.
Sherifi Eric DeBoer e cilësoi rastin si një tragjedi të papërshkrueshme. Autoritetet amerikane vazhdojnë hetimet për të sqaruar dinamikën dhe motivet e sakta të kësaj ngjarjeje.