Në një analizë të publikuar nga Qendra për Analiza Evropiane (Center for European Analysis), eksperti Ferenc Németh e vlerëson procesin e ndërrimit të pushtetit në Hungari si një model të mundshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat përballen me sfida në sundimin e ligjit dhe dominimin politik afatgjatë.
Sipas raportit, shpejtësia e tranzicionit pas zgjedhjeve të 12 prillit ka qenë vendimtare për të shmangur dëmet gjatë periudhës kalimtare. Gjatë javëve të fundit të qeverisjes së Viktor Orbanit, u raportua për asgjësim dokumentesh, përfundim të kontratave milionëshe në fshehtësi dhe transferim të pasurive jashtë vendit nga persona të afërt me regjimin e mëparshëm.
Kryeministri i ri, Peter Magyar, u betua më 9 maj, simbolikisht në Ditën e Evropës, ndërsa kabineti u formua pak ditë më pas. Pas ndryshimit të pushtetit, u vu re një ndryshim qëndrimi te disa figura të lidhura me partinë Fides, të cilat tani shprehen në favor të lirisë së medias dhe vlerave demokratike, pavarësisht mbështetjes së mëparshme për sistemin që kritikohej për kufizimet e tij.
Gjithashtu, institucionet shtetërore, përfshirë televizionin publik, kanë filluar të funksionojnë me më shumë pavarësi, ndërsa qeveria ka paralajmëruar reforma të thella në sektorin mediatik dhe vendosjen e mekanizmave të rinj të mbikëqyrjes.