Tre motra të mitura, Vishikha (16 vjeç), Prachi (14 vjeç) dhe Patsi (12 vjeç), kanë humbur jetën në Indi pasi u hodhën nga kati i nëntë i pallatit ku banonin. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas vendimit të babait për t’u ndaluar përdorimin e telefonave celularë dhe lojën e një "loje dashurie" koreane.
Vajzat lanë një shënim vetëvrasjeje me tetë faqe, ku shprehnin lidhjen e fortë me kulturën koreane. Në shënim thuhej: "Babi, më vjen keq. Koreja është jeta jonë, Koreja është dashuria jonë më e madhe. Pavarësisht se çfarë thua, ne nuk mund të heqim dorë. Kjo është arsyeja pse po kryejmë vetëvrasje". Shënimi përfundonte me fjalët: "U përpoqët të na distanconit nga koreanët, por tani e dini sa shumë i duam".
Deklarata e babait
Babai i vajzave deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni të lojës. "Kjo nuk duhet t’i ndodhë asnjë prindi apo fëmije. Nuk e dija për lojën, përndryshe nuk do t’i kisha lejuar kurrë ta përdornin", tha ai për mediat. Ai i përshkroi vajzat si të varura ekstremisht nga kultura koreane, duke përfshirë filmat, muzikën dhe serialet televizive. Kjo varësi kishte filluar gjatë pandemisë COVID-19, ndërsa vajzat nuk ishin kthyer në shkollë që nga ajo kohë.
Një zëdhënës i policisë njoftoi se ndalimi i telefonave celularë ditët e fundit duket se i kishte ndikuar ndjeshëm emocionalisht vajzat. Në murin e dhomës së tyre ishin shkruar fraza si "Jam shumë, shumë e vetmuar", sipas Daily Mail.
Dyshimet e policisë
Raportime të fundit tregojnë se rrethanat mund të jenë më komplekse. Sipas policisë, dy nga motrat mund të kenë tentuar ta ndalonin të tretën nga akti fatal, çka ngre dyshime se rënia ka ndodhur gjatë një përpjekjeje për ta parandaluar atë.