Donald Trump mbajti fjalim në Mëngjesin Kombëtar të Lutjes në Uashington më 5 shkurt 2026, duke prekur tema nga ushtria deri te feja dhe emigracioni.
Ai lavdëroi forcat e armatosura, duke thënë: “Kemi një ushtri ku të gjithë duken si Tom Cruise, por janë më të gjatë”. Sipas tij, shumë njerëz duan të hyjnë në ushtri.
Presidenti foli për politikën e emigracionit, e cila, sipas tij, ka çuar në largimin e mijëra emigrantëve të parregullt nga Shtetet e Bashkuara.
Ndaj kritikëve që e akuzojnë se është diktator, ai u shpreh: “Unë nuk jam diktator, ata janë. Ata janë si Gestapo, arrestojnë njerëz që shkojnë në kishë dhe i trajtojnë në mënyrë të tmerrshme”.
Trump paralajmëroi se ata që sulmojnë të krishterët “e dinë se do të përballen me një reagim të dhunshëm dhe të pamëshirshëm nga presidenti Trump”. “E di që nuk tingëllon bukur, por kështu janë gjërat”, shtoi ai.
Ai përmendi suksese sportive, duke u mburrur se ka ndihmuar për sjelljen e Lojërave Olimpike 2028 në Los Angeles dhe të Kupës së Botës këtë verë në SHBA, Kanadë dhe Meksikë. Trump komentoi se ndoshta nuk do të ftohet dhe iu referua “zgjedhjeve të manipuluara” të 2020-s.
Sa i përket fesë, ai premtoi të “ripërkushtojë Amerikën si një Komb të Vetëm nën Zotin” dhe tha se ka bërë më shumë për fenë sesa çdo president tjetër. Me humor, ai foli për idenë e pranisë së tij në Parajsë: “Ndoshta do t’ia dal”.
Fjalimi përfshiu edhe kritika ndaj atyre që votojnë për Demokratët.