Gjatë takimit me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump u pyet për reagimin e aleatëve ndaj sulmit të përbashkët me Izraelin ndaj Iranit. Ai theksoi se është veçanërisht i pakënaqur me Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën.
Duke iu referuar marrëveshjes së Mbretërisë së Bashkuar për ishujt Chagos, Trump deklaroi: “Ai ishull për të cilin keni lexuar, me qira, për çfarëdo arsye, ai bëri një marrëveshje qiraje për ishullin dhe dikush erdhi dhe ia mori. Na janë dashur tre apo katër ditë për të gjetur se ku mund të zbresim, do të kishte qenë shumë më e leverdishme të zbarkonim atje, në vend që të fluturonim shumë orë shtesë. Pra, jemi shumë të habitur. Nuk kemi të bëjmë me Winston Churchill”, tha ai për kryeministrin britanik Keir Starmer.
Trump shpjegoi se nuk ishte i kënaqur me Mbretërinë e Bashkuar për shkak të refuzimit fillestar nga Londra për të lejuar Uashingtonin të përdorte bazën britanike në Diego Garcia, në Oqeanin Indian, gjatë sulmeve të para ndaj Iranit.
Ishujt Chagos, të njohur zyrtarisht si Territori Britanik i Oqeanit Indian, ndodhen në Oqeanin Indian dhe Britania i ka kontrolluar ato që nga fillimi i shekullit të 19-të. Marrëveshja parashikon lëshimin e sovranitetit te Mauritius dhe pagesën e një kostoje mesatare prej 101 milionë paundësh në vit për të marrë me qira një bazë të përbashkët ushtarake Britani-SHBA në ishullin më të madh.
Pavarësisht se më parë kishte shprehur mbështetje për marrëveshjen, Trump kohët e fundit i kërkoi Starmerit ta anulonte atë.