Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e sheh misionin e ri në Hënë si mundësi strategjike për të forcuar politikën "Amerika e Para". NASA po përgatitet të dërgojë katër astronautë në hapësirë në kuadër të programit Artemis, i cili është i pari që synon të çojë njerëz në Hënë që nga viti 1972.
Ky mision vjen në një kohë me ndarje të thella të brendshme në SHBA dhe tensione ndërkombëtare, përfshirë konfliktin me Iranin, çështjet e imigracionit dhe ekonominë. Sipas NASA-s, ai shërben si hap drejt krijimit të një baze të përhershme në Hënë dhe misioneve të mëvonshme drejt Marsit. Një sukses mund të krijojë një moment uniteti kombëtar.
Donald Trump hodhi bazat e programit Artemis gjatë mandatit të parë, duke theksuar dërgimin e astronautëve në Mars dhe krijimin e United States Space Force. Në mandatin e dytë, fokusi është zhvendosur drejt Hënës. Një urdhër ekzekutiv i nënshkruar në dhjetor parashikon rikthimin e astronautëve amerikanë në Hënë deri në vitin 2028 dhe ndërtimin e një baze të përhershme deri në 2030.
Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, ka theksuar dimensionin gjeopolitik të misionit. Ai paralajmëron për konkurrencën me Kinën në hapësirë dhe shton se synimi është vendosja e një pranie të përhershme në Hënë, për të mos e humbur më atë.