Personeli, pajisjet dhe automjetet e Batalionit të Parë të regjimentit britanik The Rifles kanë mbërritur në Kosovë në kuadër të një dislokimi të planifikuar. KFOR-i njoftoi se kjo lëvizje është pjesë e Forcës Rezervë Strategjike dhe do të shërbejë për realizimin e një sërë aktivitetesh stërvitore gjatë gjashtë javëve të ardhshme.
Sipas njoftimit zyrtar të KFOR-it, ky dislokim është pjesë e kontributit afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar në misionin paqeruajtës. Misioni i NATO-s nënvizoi se ardhja e batalionit nuk përfaqëson ndryshim të mandatit të tij dhe nuk është e lidhur me procesin e optimizimit të pranisë së forcave në terren. KFOR-i theksoi se mbetet i përkushtuar në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë, si dhe në ruajtjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët.
Operacionet e KFOR-it bazohen në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të vitit 1999. Misioni vazhdon të operojë në mënyrë të paanshme, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin EULEX, të cilët vijojnë t'i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre përkatëse në fushën e sigurisë.