Një incident zjarri ka ndodhur mbrëmë në rrugën Dritan Hoxha në Prishtinë, në objektin ku ndodhet Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Abdulsamed Shkodra, zëvendëskomandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, deklaroi se nga objekti del tym, por njerëzit nuk rrezikohen. Ai shpjegoi se ekipet ende nuk kanë arritur të hyjnë plotësisht në bodrum për shkak të qasjes së vështirë dhe kthesave që e bëjnë atë si një labirint. Shkaku i saktë nuk dihet ende.
Sipas informacioneve të para, dyshohet se mund të kenë djegur mbeturina ose pjesë të arkivit dhe dokumentacionit të paraluftës. Shkodra premtoi se pas hyrjes në vendngjarje do të përcaktohet shkaku i saktë.
Rastin e konfirmoi edhe Policia e Prishtinës. Zëdhënësi Enis Pllana deklaroi se nuk ka persona të lënduar nga incidenti.