Të shtunën, një incident zjarri ka ndodhur në një banesë në lagjen “Tophane” të kryeqytetit. Zjarri, i cili kishte shpërthyer në banjën e banesës që ndodhet në katin e gjashtë të objektit, u raportua te autoritetet përkatëse në orën 14:23.
Zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdulsamed Shkodra, ka konfirmuar se ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve, flakët janë vënë nën kontroll dhe janë shuar brenda një kohë të shkurtër. Pas shuarjes së zjarrit, ekipet kanë qëndruar në vendngjarje për të realizuar ajrosjen e banesës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se nga ky incident nuk ka persona të lënduar. Megjithatë, disa banorë të ndërtesës kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me ngjarjen. Sipas dëshmive të tyre, banorët kanë dalë jashtë banesave për shkaqe sigurie, ndërsa disa prej tyre kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e frikës dhe traumave të shkaktuara nga incidenti.