Në një takim të zhvilluar nga grupi i ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, u diskutua mbi përmbajtjen dhe qëllimin e udhëzuesit klinik për trajtimin hormonal. Dokumenti synon të orientojë profesionistët e shëndetësisë drejt praktikave etike dhe të standardizuara, në përputhje me modelet europiane.
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, deklaroi se këto masa janë pjesë e procesit të integrimit europian dhe synojnë garantimin e aksesit të barabartë në shërbimet shëndetësore, pa diskriminim, për të gjithë qytetarët, përfshirë personat e komunitetit LGBTI.
Zv.ministrja Eugena Tomini sqaroi se dokumenti ka karakter udhëzues për personelin mjekësor, i referohet vetëm të rriturve dhe nuk përfshin financim apo rimbursim të barnave nga ana e shtetit. Lidhur me zbatimin praktik, shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë pranë QSUT, Agron Ylli, bëri të ditur se në harkun kohor të muajve maj dhe qershor të vitit 2026, në këtë shërbim nuk është regjistruar asnjë kërkesë për trajtim ose rekomandim në lidhje me këto protokolle.
Procesi, i cili gëzon mbështetjen e Këshillit të Europës që nga viti 2023, u vlerësua edhe nga drejtuesja e zyrës së këtij institucioni në Tiranë, Giulia Re. Ajo theksoi se aksesi në kujdesin shëndetësor është një e drejtë themelore që duhet të garantojë shërbime pa diskriminim, në përputhje me standardet e organizatës.
Përditësime
Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar detajet e udhëzuesit klinik për terapinë hormonale, duke bërë me dije se: Departamenti i Endokrinologjisë është plotësisht operativ; udhëzuesi zbatohet ekskluzivisht për pacientët mbi 18 vjeç; dhe mbulimi financiar i terapisë, qoftë nga buxheti i shtetit apo nga vetë individët, do të vlerësohet në një fazë të dytë, siç konfirmoi zv.ministrja Mira Tomini.