Personeli i Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut të Forcës Tokësore të Shqipërisë po zhvillon përgatitje intensive për pjesëmarrjen në garën ndërkombëtare ushtarake Cambrian Patrol. Një nga etapat e rëndësishme të këtij trajnimi është zhvilluar në territorin e Kosovës, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe personel ushtarak britanik.
Sipas njoftimit zyrtar të Forcës Tokësore, qëllimi kryesor i stërvitjes është forcimi i ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave, shkëmbimi i përvojave profesionale dhe përgatitja për skenarët kompleksë të garës. Programi është përqendruar në përmirësimin e aftësive taktike, punën në ekip dhe forcimin e qëndrueshmërisë fizike e mendore të pjesëmarrësve. Këto elemente konsiderohen vendimtare për vlerësimin në Cambrian Patrol, e cila vlerësohet si një nga sfidat më kërkuese ndërkombëtare të patrullimit ushtarak.
Eksperienca e vitit të kaluar shërben si bazë për ekipin shqiptar, pasi në edicionin e vitit 2025, skuadra e Regjimentit të Këmbësorisë u rendit ndër njësitë e vlerësuara me medalje bronzi, ndërsa ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës fitoi medaljen e argjendtë. Edicioni i këtij viti do të organizohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të zhvillohet nga data 2 deri më 13 tetor 2026.